
Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova e ka deklaruar prej vitesh pasionin e tij për muzikën italiane, ndërsa është një adhurues i kulturës së shtetit fqinj përtej Adriatikut.
Por, si për ironi të fatit zyrtarizimi i tij në stolin e të kuqve përkon me një "eksod" masiv të italianëve nga 15 herë kampionët e Shqipërisë. Pas largimit të Adolfo Sormanit, tashmë nga Partizani kanë dhënë "lamtumirën" e tyre edhe përgatitësi atletik, Kristiano Xhanoti, por edhe pjesëtari tjetër i stafit teknik Mazele.
Gjithashtu, edhe mesfushori Luka Bertoni nuk do të jetë më pjesë e Partizanit, pasi klubi i kuq zyrtarizoi dje ndërprerjen e kontratës me lojtarin italian. Te skuadra 15 herë kampione e Shqipërisë kanë mbetur vetëm trajneri i portierëve Mario Kapeçe dhe përgatitësi atletik, Sakone, dy italianët e fundit të të kuqve.