
Janë mbyllur dy ndeshjet e para të vlefshme për javën e 26-të të Superligës së Kosovës. Dy ndeshje mjaft interesante, ku supersfida e kësaj jave ishte ajo mes Ballkanit dhe Llapit.
Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja barazoi pa gola përballë ekipit të Tahir Batatinës, duke mbajtur të njëjtën diferencë mes tyre. Ballkani mbetet në kuotën e 52 pikëve në vendin e parë, ndërsa Llapi me 51 pikë mban vendin e dytë. Nga ky rezultat “buzëqesh” Drita, me skuadrën nga Gjilani që ka 49 pikë dhe në rast fitoreje nesër në derbi, barazon Ballkanin kryesues.
Në ndeshjen tjetër të kësaj jave, Malisheva fitoi në transfertë përballë Lirisë. Skuadra e Malishevës triumfoi 0-3 pa probleme, me golat e shënuar nga Hazrollaj, Brruti dhe Xhaka. Me këtë fitore, Malisheva shkon në kuotën e 47 pikëve dhe renditet në vendin e katërt, ndërsa Liria vazhdon “zhytjen” në fundin e tabelës.