
Dita e djeshme nuk ka prodhuar vetëm rezultate të papritshme, por nga emocionet e mëdha, për disa pozitive e për disa negative, disa prej të pranishmëve në stadiumin e Gjirokastrës, kanë zbuluar detaje që në ditë me "diell" do ishte e vështirë të zbuloheshin.
I tillë ka qenë rasti i të atit të Idriz Bathës, lojtarit të Partizanit. Refik Batha, i përfshirë nga emocionet e ndeshjes, nuk ka nguruar të zbulojë disa detaje interesante dhe mjaft të veçanta. Ndër të tjera, në momentin që ndeshja po zhvillohej, Refiku ka pohuar se Idrizi do të ketë një ekip të ri pas merkatos së janarit dhe ky do të jetë Skënderbeu.
Nuk dihet nëse ky informacion i dhënë nga i ati i lojtarit të Partizanit ka qenë shaka apo e ka thënë pa ndonjë gjë të keqe. Dihet se Skënderbeu po planifikon afrimin e lojtarëve të rinj ende pa zbuluar emra futbollistësh dhe Batha mund të jetë një ndër ata që është në listën e drejtuesve të klubit korçar. Gjithçka pritet të mësohet ditët në vijim, nëse i ati i Idriz Bathës ka thënë të vërtetën në mënyrë të pavetdijshme apo ka bërë shaka me të pranishmit në stadium.