
Mbrojtësi i krahut të majtë të Tottenhamit dhe Anglisë Danny Rose i ka bërë apel familjarëve të tij të mos marrin pjesë në Kupën e Botës në Rusi për shkak të frikës të shfaqjes së racizmit.
Futbollisti është shqetësuar nga përshkallëzimi i ekspozimit të sentimentit racist me shënjestër lojtarët afrikanë në shtetin rus.
" I kam thënë familjes sime se nuk dua që ata të shkojnë atje (në Rusi) për shkak të racizmit dhe dhe cdo gjëje tjetër që mund të ndodhë", shpreh shqetësimin e tij për "Eurosport" 27-vjecari që luan për "Spursat".
Rose është përballur në të kaluarën me një situatë tillë kur u provokua me kore raciste në Serbi gjatë ndeshjes ndërkombëtare të U-21 të Anglisë me ekipin ballkanas.
Ndërkohë ai është indinjuar dhe me gjobitjen e Federatës Ruse të Futbollit nga FIFA me 25.000 € për incidentet me sfond racist që kanë ndodhur në qytetin e Shën Petërburgut, që e konsideron të pavlefshme.