Pas dy ditëve pushim, Partizani është rikthyer në fushë duke nisur përgatitjet në këtë pauzë të Kombëtareve. Në drejtimin e trajnerit Orges Shehi dhe stafit teknik skuadra ka zhvilluar paraditen e sotme seancën e radhës në stadiumin "Arena e Demave".
Mbrojtësit Buxhelaj dhe Preka, mesfushori Ismaili dhe sulmuesi Bintsouka janë mungesat e të kuqve, pasi janë të impenjuar me kombëtaret respektive. Pjesa tjetër e grupit ka vijuar normalisht programin stërvitor.
Pas më shumë se 4 muajsh jashtë fushe, qendërmbrojtësi Altin Bytyçi rikthehet të zhvillojë një seancë stërvitore normalisht si gjithë pjesa tjetër. Dardani 23-vjeçar pësoi një dëmtim të rëndë në gju duke këputur ligamentin kruciat. Një nga dëmtimet më të rënda për një futbollist që pas operacionit parashikon një periudhë prej të paktën 6 muajsh në rikuperim total.
Bytyçi ka zhvilluar disa ushtrime të lehtë në javët e fundit, ndërsa gradualisht do të rritet intensiteti. Sipas parashikimit të parë, ai duhet të kthehet në muajin maj, por me përditësimet e fundit duket se mund të kemi një rikthim më të shpejtë.
Përpara dëmtimit, Bytyçi luajti të gjitha minutat e plota në 11 nga 12 ndeshjet e para të kampionatit, e vetmja mungesë erdhi për arsye kartonash.