
Shpëtim Duro ka folur pas humbjes 2-1 kundër Kukësit. Një rezultat që nuk ka lënë shije të mirë te trajneri i Egnatias, i cili priste që të merrte pikë ndaj verilindorëve. Në prononcimin e zakonshëm për mikrofonin e Oversport, Duro tha:
“Sigurisht që dua ta them që në momentet e para. Ka qenë një nga ndeshjet jo të mira që kur kam ardhur unë këtu. Sigurisht në pjesën e parë, arritëm të zhbllokojmë rezultatin. Në pjesën e dytë nuk kemi luajtur mirë në momente të veçanta.
Kemi gabuar atëherë kur Kukësi na rrezikonte. Ishte shumë e vështirë për të reaguar. U ngarkuam psikologjikisht. Ishte një nga ndeshjet që nuk më ka pëlqyer. Kemi bërë dy barazime, e kam thënë. Kemi luajtur shumë mirë. E kemi merituar fitoren, por nuk kemi bërë një ndeshje pozitive.
Pjesa e parë ishte më e mira e jona. Mund ta kishim mbyllur ndeshjen. Mëllugja nuk po luante keq, por duke parë ngarkesën e sfidës, mendova t’i freskoja. Lojtari i ardhur, nuk ishte në gjendjen e duhur. Ndoshta nuk duhej ta aktivizoja. Ndërrimet ndikuan duke lënë territor në mesfushë. E kam thënë që Kukësi ka lojtarë me kualitet. Por, futbolli është i tillë. Skuadra është e mirë. Disa futbollistë kanë vlera. Duhen pikët. Në pjesën e dytë ishte totalisht, pashë që skuadra nuk funksionoi.
Puna? Kam mendimin që shikoj skuadrën të ngarkuar psikologjikisht për mosbesimin që të arrijmë fitoren. Është presioni i rezultateve. Skuadra duhet të vijë në një moment të mirë. Pas 3 ditësh kemi një ndeshje me Partizanin. Ta tregojmë në fushë se jemi të fortë. Do të punojmë në aspektin psikologjik. Kemi pasur probleme për sot. Xhekson ka qenë i dëmtuar, Kasa me temperaturë. Këta janë lojtarë që mund të jenë në gjendje më të mirë në takimin me Partizanin”, përfundoi ai.