Pasditen e sotme Partizani ka lënë kryeqytetin për të udhëtuar drejt Elbasanit, aty ku do të presin në ndeshjen e parë Slovan Bratislavën për raundin e parë eliminator të Europa League. Janë grumbulluar të gjithë lojtarët që kanë qenë në listën e hartuar nga stafi teknik, ndërsa mungesa e vetme është portieri Alban Hoxha.
Nuk është justifikuar saktësisht se pse "gardiani" cërrikas nuk është me skuadrën, por drejtuesit janë mjaftuar duke thënë se ka probleme familjare. Ai do të jetë nesër me grupin sipas njoftimit të bërë në "facebook".
Siç është bërë me dije, me skuadrën ka udhëtuar "bomberi" Xhevahir Sukaj. Shkodrani pak ditë më parë pranoi akordin me klubin, ndërsa do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë në Europa League. Veç tij, të kuqve iu është bashkuar sulmuesi Caleb Ansah Ekuban, i cili është prurja e fundit te "demat".
Skuadra do të vijojë me stërvitjen ditën e nesërme në terrenet afër stadiumit "Elbasan Arena", ndërsa të martën skuadra do të luajë kundër sllovakëve të Slovan Bratislavës që kanë luajtur disa herë në Europa League.