
Tirana vijon me intensitet përgatitjet për derbin e së dielës. Në kuadër të këtij takimi të rëndësishëm, bardheblutë do të grumbullohen 48 orë para sfidës.
Burime pranë newsport.al konfirmojnë faktin se Tirana do të nisë grumbullimin që ditën e nesërme, menjëherë pas seancës stërvitore e cila do të zhvillohet në "Selman Stërmasi" në orën 18:00. Përgatitje këto që do të kryhen nën ndriçimin e prozhektorëve të stadiumit.
Një zgjedhje kjo nga ana e stafit teknik për ta përshtatur këtë seancë stërvitore me orarin kur do të luhet derbi.
Ndërkohë që seanca e fundit stërvitore para sfidës ndaj Partizanit do të zhvillohet të shtunën pasdite dhe më pas bardheblutë do të nisen drejt Elbasanit.
Nga ana e tij, trajneri Ilir Daja ka bërë përpjekjet maksimale për të mbajtur në tonus skuadrën e tij duke i kushtuar vëmendje maksimale edhe aspektit psikologjik.