Kosova ka mbetur pa trajner pas mbylljes së kontratës me ish-trajnerin Primoz Gliha. Federata e Futbollit të Kosovës prej javësh është vendosur në kërkim të selektorit të ri dhe po shqyrton kandidatët e mundshëm.
Tahir Batatina, trajneri i Llapit, ka vetë-shpallur kandidaturën e tij dhe po lobon fort në mediet dardane, sidomos pas fitores 5-3 ndaj Ballkanit të Ilir Dajës, i cili është gjithashtu një kandidat. Batatina ditët e fundit ka qenë në Tiranë për të marrë pjesë në seminarin e fundit të organizuar nga FSHF për kursin e trajnerëve për licensën UEFA Pro.
Në këtë seminar i ftuar ishte edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, i cili në fund të kursit është takuar edhe me Batatinën duke ndarë edhe një foto në rrjete sociale.
Çështja e selektorit të ri të Kosovës pritet të marrë fund shpejt me presidentin e FFK, Agim Ademi i cili ka takuar personalisht në Stamboll ish-trajnerin e Spanjës, Roberto Martinez i cili kërkon rreth 600 mijë euro së bashku me stafin e tij. Vendimi pritet të merret së shpejti nga kreu i futbollit dardan.