
Korabi nisi dje fazën përgatitore për sezonin e ri. Skuadra ndodhet në Peshkopi, njofton klubi përmes rrjeteve sociale, ndërsa janë programuar nga 2 seanca stërvitore çdo ditë. Kujtojmë se Korabi luajti në finalen e “play-off” përballë Egnatias sezonin e fundit, por nuk ja doli me sukses të realizojë objektivin e ngjitjes në Superiore.
Arsyeja pse u zgjodh pikërisht shtëpia e tyre për këtë fazë përgatitore janë kushtet e favorshme që ofron stadiumi i Korabit. Tifozëria është një prej kushteve, që jo çdo skuadër e gëzon gjatë përgatitjeve. Më poshtë mund të lexoni njoftimin e Korabit përmes rrjeteve sociale.
Njoftimi i Korabit:
Që nga pasditja e djeshme ekipi gjendet në Peshkopi, aty ku do të zhvillojë fazën përgatitore. Mëngjesin e sotëm është zhvilluar seanca e parë stërvitore në stadiumin “Korabi”. Ndërkaq pritet që mbasdite ekipi të zhvillojë seancën e dytë stërvitore. Gjatë përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik, skuadra do të jetë e akomoduar në Peshkopi ku janë planifikuar dy seanca stërvitore në ditë, për tu favorizuar nga kushtet klimaterike, ambjentet stërvitore dhe tifozeria.