
Skuadra e drejtuar nga trajneri serb, Mladen Milinkoviç po kalon një formë të mirë fizike dhe në rezultate. Pas fitores në miqësoren e zhvilluar kundër Kamzës, ka arritur që të marrë një tjetër rezultat të pastër në stadiumin “Loni Papuçiu”.
Gjirokastritët kanë mundur Apoloninë me rezultatin 2-0. Golat janë shënuar nga Donald Rapo dhe Dejvi Bregu. Ky i fundit po tregohet i pandalshëm nga ndeshja në ndeshje. Sa iu përket përforcimeve, kjo ndeshje mësohet se ka qenë vendimtare për të dy trajnerët, si për Milinkoviçin e Luftëtarit ashtu edhe për Demirajn e Apolonisë.
Trajnerët pas kësaj sfide do të vendosin se kush nga lojtarët e ardhur në provë do të qëndrojnë në vijim në skuadrat respektive. Gjirokastritët kanë afro 10 të rinj që presin përgjigje, ndërsa tek Apolonia janë tre maqedonas dhe dy serb që presin të mësojnë të ardhmen e tyre. Ndoshta, Demiraj këtë herë duhet që të bëjë mirë llogaritë.