
Kjo javë pritet të jetë e "zjarrtë" për Skënderbeun. Korçarët pritet të shpallin falimentin, duke u rrëzuar kështu në Kategorinë e Tretë. Skenari është I qartë, Besëlidhja në Superligë dhe Maliqi në Kategorinë e Parë. Këtu është "kleçka" e skenarit të mirëmenduar. Në Korçë raportojnë se ditët e fundit ka pasur një takim të presidentit të Skënderbeut Ardian Takaj me kryebashkiakët e Korçës dhe Maliqit, për të vendosur në fundkion këtë plan.
Korçarët do të humbisnin zyrtarisht titujt e fituar nëse do ndërronin emrin, ngjyrat dhe logon e klubit, ndërsa pritet që të investohet te skuadra e Maliqit duke e quajtur Akademia e Futbollit Skënderbeu. Kështu, me ekipin në Kategorinë e Parë korçarët do të duan një vit t'u ngjitur në elitë dhe vijuar garën me investime të reja të konsiderueshme, pa përmendur faktin se mund të shpallen kampion të Kupës së Shqipërisë, duke fituar qysh prej sezonit të ardhshëm të drejtën për në garat europiane.
Ky skenar I mirëmenduar duket se nuk do të funksionojë në çdo hallkë të tij, pasi do ishte e pamundur që Skënderbeu të mbante të drejtën e përqindjeve të futbollistëve që ka shitur, duke përfituar më tej nga rishitja e tyre në bazë të kontratave apo përqindjeve të kartonit që ka mbajtur. E enjtja mund të jetë dita që do vendosë mbi fatet e korçarëve, ndërsa drejtuesit do duhet të paguajnë edhe një gjobë të majme prej 1 milion eurosh nga UEFA për dënimin si të dyshuar në trukime ndeshjesh. Me stemë, emër dhe ngjyra të reja, Skënderbeu i dikurshëm pritet të "shkrihet" me vullnet të plotë.