
Kroacia ka fituar përballë Portugalisë në transfertë, në miqësoren e fundit përgatitore para Euro 2024. Ballkanasit dhuruan një ndeshje mjaft të bukur, duke mposhtur portugezët me rezultatin 1-2.
Përfaqësuesja e Kroacisë e gjeti golin e avantazhit që në minutën e 8-të me Luka Modric. Mesfushori i Real Madrid shënoi nga pika e bardhë e 11-metërshit. Ky ishte goli i vetëm i pjesës së parë.
Me nisjen e pjesës së dytë, Portugalia u bë më kërkuese, duke gjetur barazimin me Diogo Jotan në minutën e 48-të. Por vetëm 8 minuta më vonë, ishin përsëri kroatët që shënuan, këtë herë me Budimir. Goli i sulmuesit të Kroacisë vulosi edhe rezultatin përfundimtar.
Një fitore e rëndësishme dhe motivuese për Kroacinë, të cilët Euro 2024 e nisin përballë Spanjës më 15 qershor, ndërsa 4 ditë më vonë do të luajnë kundër Shqipërisë në Hamburg.