
Gjermani – Skoci ishte ndeshja hapëse e Euro 2024. “Panzerat” triumfuan 5-1 ndaj skocezve duke bërë spektakël në “Allianz Arena”. Një triumf shumë i rëndësishëm për gjermanët, që e nisin Kampionatin Europian me “këmbën” e mbarë.
Pas kësaj fitoreje, Julian Nagelsmann ishte mjaft i surprizuar nga të tijtë. Trajneri deklaroi se gjithçka ishte përfekte dhe skuadra kishte shumë dëshirë për të fituar.
“Doni të vërtetën, kjo Gjermani më mahniti edhe mua. Në 20 minutat e para ishim thjesht të pabesueshëm dhe në çdo top që preknim, në çdo vrapim që bënim tregonim shumë potencë, shumë forcë, shumë dëshirë. Ishim të gatshëm që të luftonim në çdo top dhe të bënim gjënë e duhur.
Ishte gjithçka perfekte deri në fund. Madje, pikërisht dëshira që treguam për të shënuar deri në sekondën e fundit është ajo që më jep një ndjesi shumë pozitive dhe mund të shohim të gjithë më të sigurt përpara. Në çdo presion të rivalit dinim se ku do të shkonte topi, ndaluam thuajse gjithçka Skocia tentoi të bëjë.
5 gola nuk shiheshin prej kohësh? Të shënosh shumë është e rëndësishme, pasi kemi vuajtur disi kohën e fundit, por të shënosh shpejt të ndihmon që të jesh më i qetë, pastaj të bësh 2 apo 3 që në pjesën e parë është ajo që të dhuron edhe ëndrrën e madhe.
Mendoj se ishte një hap i parë i madh nga ana jonë dhe do të jetë pa dyshim edhe stimuli për të bërë edhe më mirë në ndeshjet e ardhshme. Më i miri në fushë? Nëse do të kisha pasur një buqetë me lule do ia kisha shpërndarë të gjithëve, pasi realisht më habitën, më pëlqyen dhe i falënderoj për atë që na dhanë të gjithëve”, përfundoi Nagelsmann.