
Europiani “Gjermani 2024” ka sjellë shumë surpriza dhe të papritura. Shumë ekipe të mëdha që mendohen si favoritë, në fazën e grupeve nuk kanë treguar shumë cilësi. Përkundrazi, janë ekipet që nuk u morën seriozisht ato që po bëjnë surpriza.
Austria dhe Rumania janë 2 ekipet që mund të themi se kanë surprizuar deri më tani. Austriakët u renditën në vendin e parë në Grupin D, duke lënë pas Francën, Holandën dhe Poloninë.
Në krahun tjetër, edhe Rumania e mbylli në vendin e parë fazën e grupeve. Të vendosur në Grupin E, rumunët kryesuan për shkak golavarazhi, duke lënë pas Belgjikën, Sllovakinë dhe Ukrainën.
Padyshim të dyja këto përfaqësuese janë surpriza e këtij Europianit, të cilat tashmë duhet të merren seriozisht nga kundërshtarët, pasi janë kthyer në “Dark Horse”, apo “Kali i Zi” i Europianit, emërtim që anglezët e përdorin për skuadrat që kalojnë pritshmëritë.