
Anglia ia doli në “frymën” e fundit të gjente golin e fitores dhe të përmbyste Holandën 2-1 për të siguruar kështu finalen e madhe. Në minutën e 90-të do të shënonte Ollie Watkins, i cili hyri si zëvendësues dhe u siguroi të tijve kualifikikim.
Pas këtij suksese ka folur Garet Southgate. Timonieri i anglezve ka theksuar se ekipi i tij luajti shumë mirë dhe se lojtarët dhanë maksimumin. Ndër të tjera ai foli edhe për zëvendësimin Kane –Ëatkins që qëlloi të ishte vendimtarë.
“Ne luajtëm shumë mirë. Ishte një ndeshje e komplikuar dhe ne duhej të vazhdonim të ndryshonim mënyrën se si po mbronim. Na u desh të përshtateshim në mënyrë të vazhdueshme.
Më vjen mirë që djemtë morën vendimet e duhura. Finalja është e veçantë për ekipin, erdhi si shpërblim i asaj që po bëjmë për kauzën tonë. Gjëja më e rëndësishme është që gjithë ekipi është gati të futet në lojë.
Zëvendësimi Kane-Watkins? E ndienim që po fillonim të humbnim pak nga ana energjitike, presingu ynë po zbehej. Harry sapo kishte marrë një goditje, ndërkohë që Ollie bën mirë presing dhe sulmon thellësinë.
Menduam se ishte një moment i mirë për të provuar dhe ia dolëm. Jam i lumtur që Ollie e shfrytëzoi momentin e tij, jam i lumtur për të”, u shpreh trajneri i Anglisë pas kualifikimit në finale.
Kujtojmë se finalja mes Spanjës dhe Anglisë do të luhet ditën e dielë në orën 21:00. Kjo përballje do të zhvillohet në stadiumin “Olympiastadion” në Berlin.