
Spanjë kualifikohet në finale të një Europiani pas 12 vitesh. Spanjollët mposhtën me përmbysje 2-1 ekipin e Francës.
Lamine Yamal dhe Dani Olmo shënuan për “Furinë e Kuqe” duke i siguruar kështu biletën e finales. Pas kësaj sfide ka folur Luis de la Fuente. Timonieri spanjoll ka theksuar se është shumë i lumtur për këtë sukses, ndërsa ndër të tjera nënvizoi se futbolli spanjoll është rikthyer aty ku i takon.
“Jemi shumë të lumtur, lumturia ishte tashmë e madhe që arrita këtu, por tani është shumë më e madhe. Ndjej shumë krenari për këta lojtarë, ata janë të jashtëzakonshëm, dinë të luajnë dhe t’i lexojnë ndeshjet në mënyrë të jashtëzakonshme.
E kemi kthyer futbollin spanjoll aty ku i takon. Duhet të vlerësojmë atë që po bëjnë këta lojtarë. Duam të vazhdojmë të bëjmë histori, nuk duam të relaksohemi, duhet të qëndrojmë të përqendruar për të përballuar finalen në Berlin.
Nuk ka rëndësi se kush është kundërshtari, ne e kemi parë tashmë rrugëtimin që kemi bërë në këtë kampionat evropian. Janë dy rivalë të mëdhenj dhe ne i presim krahëhapur. Ne duam të fitojmë finalen”, ka theksuar timonieri i spanjollëve.