
Euro 2024 është kompeticioni i nivelit më të lartë në Europë. 24 kombëtaret më të mira garojnë për të shpallur në fund fituesin. Si gjithnjë, favoritët janë skuadrat me lojtarë elitare si Anglia, Franca, Portugalia e me rradhë.
Kur lexon emrat në listat e tyre thjeshtë mahnitesh nga superyjet që përbëjnë organikën. Si rrjedhojë të gjithë presin spektakël, emocione, drithërima, nivel të lartë loje nga këto skuadra. Por, në këtë Euro nuk po ndodh kështu, të paktën deri tani.
Ekipe elitare si Franca, Anglia, Portugalia, Belgjika, Italia duhet thënë me plot gojë që kanë zhgënjyer fansat. Ndeshjet e tyre nuk kanë sjellë pikë emocioni duke lënë për të dëshiruar si në rezultat, ashtu edhe në lojë.
Anglia me superyjet e saj, e cila vijon të dështojë në fitimin e trofeve vit pas viti, e nisi këtë turne si favorite absolut, por në fushë ka marrë 1 fitore të sforcuar ndaj Serbisë, si dhe u ndal në barazim nga Danimarka që ishte shumë herë më lart në lojën e saj.
Një tjetër favorit, Franca gjithashtu fitoi minimalisht ndaj Austrisë në një lojë që nuk dhuroi thuajse asnjë emocion. Kur pritej një finale e parakohshme ndaj Holandës, dy skuadrat e mbyllën në barazimin më të padëshiruar për fansta, atë pa gola të shënuar.
Totalisht e kundërta me ekipet e ‘vogla’. Skuadra si Shqipëria, Gjeorgjia, Rumania, Sllovakia i kanë dhënë një tjetër fytyrë kompeticionit. Pasioni që buron në ndeshjet e këtyre skuadrave është thjeshtë një tjetër nivel. Jo thjeshtë rezultati, por ndeshjet ndërkombëtare përfaqësojnë më shumë sesa futboll për Kombëtaret përkatëse.
Janë skuadra të këtij 'lloji' që po i japin bukuri turneut si në fushë, në tribuna, por edhe në rrugët e Gjermanisë.