
Erzeni ende nuk po ndihet këtë merkato teksa të vetmet lajme që dalin janë ato të largimeve me Adnard Mehmetin që u shit te Partizani dhe Dejvid Kapllani i cili e njoftoi vetë. Për afrime “s’bëhet fjalë”. S’ka ende ndonjë meër që qarkullon dhe duket se drejtuesit janë ende në “gjumin e verës”.
Shijakasit siguruan mbijetesën në finalen e Play-Out dhe do të jenë sërish pjesë e elitës. Përgatitjet për të ndërtuar ekipin e sezonit të ri s’kanë nisur ende edhe pse ka më shumë se një muaj kohë. Kohë ka, por në fund të merkatos është e vështirë të gjesh lojtarë. Gjithsesi, Erzeni na ka mësuar se mund të ndërtojnë një skuadër surprizuese në vetëm 10 ditë, siç bënë në verën e fundit.
Klubi ditën e sotme është “zgjuar” në rrjete sociale teksa i kanë uruar ditëlindjen sulmuesit Patrick Nonato. Braziliani feston 26-vjetorin dhe këtë sezon ka qenë nga më të mirët duke shënuar 12 gola, i treti në Superiore.
“Gëzuar ditëlindjen Patrick Nonato! Familja e madhe Erzeni të uron 100 vite të lumtura dhe suksese në karrierë!”, shkruan klubi.
Nonato flitet për një largim të rradhës dhe fjalët e fundit të klubit në këtë mesazh, “suksese në karrierë”, duken pak të dyshimta. Mbetet të shihet se si do të veprojnë palët.