
Milani ka kohë që është në kërkim të një qendërsulmuesi dhe emri më i ri që ka dalë në pah është ai i Taremit. Porto kërkon 20 milionë euro për sulmuesin. Një shumë e konsiderueshme, por që nuk e pengon idenë e Milanit për të sjellë sulmuesin iranian në “San Siro”.
Lojtari i kombëtares së Iranit ka karakteristikat perfekte për të qenë alternativa ndaj Giroud. Një sulmues i fuqishëm që di të rrisë ekipin. Në krahun tjetër Scamacca është një hipotezë që vlen gjithmonë nëse West Ham vendos ta lërë në huazim. Por problemi është nëse duke u përballur me koston e Taremit, Milani duhet të heqë dorë edhe nga Chukwueze, i konsideruar si kandidati perfekt për krahun e djathtë, por që do të bllokonte hapësirat për lojtarët jashtë BE-së.
Edhe Morata ka qenë një alternativë, por emri i tij po zhduket dalëngadalë nga radarët e kuqezinjve. Atletico Madrid kërkon më shumë se 20 milionë euro dhe sulmuesi spanjoll fiton më shumë se 5 milionë në sezon. Shifra që Milani i konsideron shumë të larta. Prandaj Taremi për momentin shihet si profili i duhur.