
Ndërkohë që sezoni i ri futbollistik ka nisur edhe në Francë, Lorik Cana vijon të mbetet me pushime. Kapiteni i Kombëtares sonë nuk është grumbulluar ende nga trajneri i Nantës, ndonëse është nën kontratë. Flitet për një largim të mundshëm të tij nga Nantë, por ende nuk ka ndonjë zyrtarizim për këtë çështje.
Por, pyetja që të gjithë tifozët shqiptarë mund t’ia bëjnë vetes është: Cila do të jetë ardhmja e Canës në Kombëtare? Vërtet, a ka ardhur ndonjë vendim përfundimtar i kapitenit kuqezi për t’u tërhequr dhe nëse po përse nuk bëhet publik. Ndoshta në këtë rast do të duhej një lajmërim se ceremonia e tërheqjes së Canës nga Kombëtarja mund të bëhet në sfidën miqësore kundër Marokut në Shkodër apo qoftë edhe kundër Maqedonisë më 5 shtator për eliminatoret.
Ndërkohë që ana tjetër e medaljes, pra mundësia tjetër është edhe ajo që Cana mund të luajë edhe kundër Maqedonisë , si ndeshjen e fundit në karrierën e tij me ekipin përfaqësues. Por edhe në këtë rast mbetet për t’u parë se sa garanci do të jepte kapiteni, pasi që prej përfundimit të Europianit në Francë, Lorik Cana nuk ka kryer stërvitje me skuadrën që është nën kontratë dhe sigurisht që forma e tij nuk është ajo më e mira e mundshme.