
Elbasani ka udhëtuar ditën e sotme drejt Kukësit ku do të përballet me vendasit për fazën 1/8 në Kupën e Shqipërisë në ‘Kukës Arena’ në orën 13:00. Verdheblutë nuk kanë ndërmend të vijnë me ndjenjën e inferioritetit dhe kanë objektiv kryesor kalimin e këtij turi për të prekur të paktën fazën çerekfinale.
Për Elbasanin nuk është thjeshtë një ndeshje e rëndësishme për objektivat, por është një test me vetveten, me tifozët e mbi të gjitha, një test për të bindur opinionin publik se verdheblutë janë një ekip i denjë për të konkuruar në elitën e futbollit shqiptar.
Nevil Dede do të hedhë në fushë më të mirët e mundshëm dhe një pjesë e mirë e tyre vjen pikërisht nga elita duke filluar me Ardit Hilën që pritet ta nisë si titullar e për të vazhduar me Grecën, Hasanin, Hoxhajn e me rradhë.