
Elbasani do të luajë në transfertë përballë Bylisit këtë të hënë ndeshjen e vlefshme për javën e 22 të Kategorisë së Parë. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit do të startojë në orën 13:00.
Përgatitjet vazhdojnë nga të dyja kampet, ku Elbasani “paralajmëron” Bylisin në një farë mënyre, duke treguar që këtë ndeshje e kanë marrë seriozisht si gjithë të tjerat dhe në Ballsh do të shkojnë vetëm për fitore.
“Udhëtojmë drejt Ballshit për tu përballur me ekipin e Bylis në kuadër të javës së 22 të kampionatit. Ekipi verdheblu vijon përgatitjet intensive për sfidën e cila mbyll fazën e dytë të kampionatit”, shkruan Elbasani në faqen zyrtare.
Kujtojmë që Bylis kryeson Kategorinë e Parë me 51 pikë, ndërsa “verdheblutë” me dy pikë më pak renditen në vendin e dytë. Në rast fitore, Elbasani do të merrte në dorë “timonin” e kampionatit.