Kanë nisur efektet e para pozitive që pas garancisë financiare që dha kryebashkiaku Qazim Sejdini për ekipin e futbollit. Kështu, pas afrimit të dy lojtarëve të huaj, një braziliani dhe një futbollisti nga Angola, në stërvitje me verdheblutë është bashkuar edhe portieri 22-vjeçar, Krenar Dajsinani. Shqiptari i Maqedonisë, më parë ka qenë në radhët e ekipit të Pogradecit dhe me shumë gjasa do të jetë afrimi më i ri i elbasanasve.
Ndërkohë, mbrojtësi brazilian që u provua dy ditë më parë nuk do të vijojë stërvitjen me ekipin, pasi nuk e ka kaluar provën. Gjithashtu stërvitje të plotë me skuadrën bënë edhe dy mesfushorët e Bylisit, Renato Hyshmeri dhe Orgest Gava, por nuk bëhet fjalë për një afrim të tyre me verdheblutë, pasi aktualisht janë nën kontratë me skuadrën mallakastriote dhe thjesht po stërviten për të mos humbur formën.
Vlen të përmendet edhe prezenca e ish gardianit elbasanas, Elvis Kotorri, por edhe për këtë futbollist nuk mund të thuhet se do të luajë me verdheblutë, edhe pse është një futbollist i lirë pas largimit nga skuadra e Korabit. Në ditët në vijim pritet të vijnë të tjerë lojtarë, ndërkohë që të premten do të kenë një miqësore me skuadrën e Turbinës në kompleksin “Shefqet Lamçja”.