AF Elbasani arriti të dilte kampione e Grupit B në Kategorinë e Dytë duke u ngjitur zyrtarisht një kategori më lartë. Pas kësaj arritje drejtuesit e klubi do të përpiqen të bëjnë një skuadër sa më dinjitoze. Nga kontigjenti aktual pritet të ngelin shumë pak duke bërë kështu një rotacion total të skuadrës.
Bëhet fjalë vetëm për ata lojtarë që kanë bindur gjatë këtij sezoni dhe natyrisht ata që i kanë cilësitë për të qenë konkurues në Kategorinë e Parë. Elbasani ka nisur nga puna për sezonin e ardhshëm dhe në krye të pankinës pritet të rikthehet Nevil Dede. Dede është një emër i njohur në kampin elbasanas pasi ka arritur të shpallet kampion i Shqipërisë në vitin 2006.
Ndër të tjera klubi ka menduar të lërë skuadrën pushim deri në korrik nga ku do të kthehen për fazën përgatitore. Sipas burimve të shtypit të shkruar bëhet me dije se verdheblutë do ta zhvillojnë fazën përgatitore jashtë vendit ku pritet t’i bashkohen edhe lojtarët që do të transferojnë gjatë merkatos së verës.