
Egnatia ka udhëtuar ditën e djeshme drejt Turqisë aty ku do të zhvillojë fazën përgatitore për ndeshjet kualifikuese të Conference League. Rrogozhinasit do të debutojnë në arenën europiane pas suksesit historik këtë sezon ku dolën në vendin e tretë në kampiona dhe fituan Kupën e Shqipërisë.
Një histori e bukur ajo e Egnatias këtë sezon por nuk mund të quhet aspak një surprizë. Egnatia është një skuadër e ndërtuar siç duhet me investime të duhura duke filluar nga stadiumi deri te grupi i lojtarëve.
Ditën e sotme ata kanë zhvilluar stërvitjen e dytë dhe janë klubi i vetëm shqiptar që po kryen fazën përgatitore jashtë vendit. Merkato nuk do të jetë shumë e zhurmshme teksa do të ruhet grupi dhe do të ndërhyjnë vetëm nëse ka emra që rrisin cilësinë, si ai i Albano Aleksit që erdhi nga Tirana.