
Egnatia ka fituar 3-0 me Vllazninë në Rrogozhinë. Për javën e katërt në Superligë, skuadra e Tetovës i ka dhënë leksion Vllaznisë, duke ulur me këmbë në tokë shkodranët.
Dy fitoret me Kukësin dhe Tiranën duket se janë harruar nga Vllaznia, që merr një humbje në një fushë të vështirë. Golat për Egnatian janë shënuar nga Delange në minutën e 22 pas asistit të Mustës, me këtë të fundit që vetëm dy minuta më vonë do shënonte golin e dytë.
Në të 62 minutë, Camaj i ka vënë vulën kësaj ndeshje për 3-0. Pas javës së katërt, Egnatia merr vendin e dytë, duke e bashkëndarë me Vllazninë, në kuotën e gjashtë pikëve.
Pas ndeshjes për Oversport foli trajneri i Egnatias, Edlir Tetova.
“Më pëlqyen loja dhe rezultati, shfaqëm uri dhe karakter për të marrë tri pikët. Kjo ishte fitorja e parë në shtëpi dhe këtu gëzohem.
Kishim marrë masat e duhura, që tre sulmuesit të rrinin më afër të kundërsulmonim, që ia dolëm me sukses.
Mendoj se kemi qenë gjatë gjithë ndeshjes në ekuilibër. Vllaznia nuk kishte asnjë rast shënimi. Ishim superior në çdo aspekt, e thotë edhe rezultati dhe loja.
E kishit menduar këtë rezultat – Kishim llogaritur tri pikë por jo me këtë rezultat.
Objektivi – Mendoj se duhet të kemi rritje në lojë, lëvizshmëri në mesin e fushës sepse janë truri i ekipit. Ndeshje pas ndeshje do shohim se ku do e mbyllim sezonin”, tha Tetova.