
Kukësi dhe Dinamo u ndanë në një barazim pa gola dhe ndajnë nga 1 pikë secila. Pas ndeshjes, trajneri i bluve, Dritan Mehmeti, dha prononcimin e tij për MCN TV.
“Shumë e rëndësishme ishte të mos humbisnim. E përgatita skuadrën për fitore, por kishim shumë mungesa. Nuk pësuam gola dhe kjo është e rëndësishme. Jam i kënaqur për këto 3 ndeshjet, më shumë për lojën pasi skuadra po më ndjek. Në pjesën e dytë ishim shumë më dominues. Në zonë duhet të jemi më të qetë.
Vetëm 2 ndërrime? Shkalla e vështirësisë është e madhe në aspektin fizik. Ishte e vështirë të rifreskoja skuadrën. Mungesat por edhe ndoshta njohuria e pakët e grupit, nuk doja të bëja ndërhyrje më tepër pasi ishim në ritmin e duhur. Po e kërkonim golin ashtu si duhej. Skuadra ishte në ekuilibër dhe mendova që ndërhyrje të tjera do të ishin të tepërta. Denisson pati shumë raste, duhet të tregohej më i saktë.
Kundërshtari ndryshoi dhe kërkoja cilësi në zotërim topi prandaj futa Andonin. E arrita qëllimin. Ai u fut mirë në lojë dhe bëri detyrat, është i rëndësishëm për ne. Penalizohet nga pjesa fizike pasi ka patur shumë dëmtime. Nuk doja t’i jepja pikë referimi kundërshtarit duke larguar Kaçorrin.”