
Ismael Bennacer ka qenë padyshim një nga lojtarët kyç të mesfushës së Milanit që në momentin që u transferua në “San Siro”. Mesfushori algjerian ka kaluar një moment të vështirë kohët e fundit për shkaqe dëmtimi.
Por duket se Bennacer po e merr veten dalëngadalë. Gjatë fazës së rikuperimit, 25-vjeçari ka folur për Milanin dhe periudhën e tij që ka kaluar deri më tani tek “Djalli”.
“Milani është një klub i jashtëzakonshëm, nisur nga organizimi dhe njerëzit. Gjithçka është e pabesueshme. E ndjej historinë e këtij klubi, peshën e fanellës gjithashtu. Kjo është arsyeja pse unë jap gjithçka në fushë, sepse e dua Milanin”, është shprehur algjeriani.
Më pas Ismael Bennacer foli dhe për kalimin e ish-shokut të ekipit Hakan Calhanoglu tek rivalët e përjetshëm. Gjithashtu 25-vjeçari u shpreh se ai vetë kurrë nuk do të pranonte të vishte fanellët zikaltër.
“Unë nuk dija asgjë, e mora vesh në fund kur u sëmur Eriksen. Hakan donte të qëndronte te Milani, por më pas nuk e di se çfarë ndodhi. Ndoshta nuk u arrit marrëveshja e rinovimit.
Ne jemi miq, por në fushë nuk ka miq. Aq më tepër në një derbi. Nuk arrija ta besoja kur mora vesh transferimin e tij tek Interi. Personalisht unë nuk do e bëja kurrë një veprim të tillë, sepse e respektoj shumë Milanin.
Interi mund të më ofrojë gjithçka, por jo. E dua Milanin, e dua këtë klub. Nuk do të thotë se do të qëndroj këtu gjithmonë, nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por nuk do të shkoj kurrë tek Interi“, tha më tej Ismael Bennacer.