Largimi i Ledios Panos ishte si një “rrufe në qiell të hapur” nga Partizani. Siç tregoi vetë trajneri i moshave në këtë klub, një telefonatë kishte sjellë divorcin mes palëve. Djali i shtëpisë u “përzu” nga vendi në të cilin lindi, u rrit dhe jetoi.
Megjithatë si në çdo dallgë te jetës, edhe këtë herë Ledio me siguri do ta kalojë siç duhet. Për të ka shkruar Fatmir Efica. Një nga gazetarët e njohur të sportit shqiptar, tregon një moment të Panos si lojtar kur ishte me Partizanin.
Në një ndeshje kundër Lushnjës, goli i tij çonte të kuqtë drejt suksesit. Plot 37 vite më parë, Efica kujton më së miri atë takim. Ndërkohë kritikon drejtuesit e Partizanit duke i cilësuar si mosmirënjohës. Në komentin e bërë në rrjetet sociale, gazetari i njohur sportiv shkruan:
“E kujtoj si tani që Ledio Panos i kam bërë një intervistë kur luante me të rinjtë e Shkëndijës së Tiranës në sezonin 1984-85 dhe patën një ndeshje në Lushnje ku fituan 1-0 me golin e tij.
Ishte kjo fitore që ua mundësoi suksesin si kampionë dy javë para finishit. Në këtë sezon u shpall golashënuesi i dytë më i mirë pas Kazanxhiut të Teutës dhe kam qenë i dërguar i posaçëm i gazetës “Zëri i Rinisë”.
Duke e përcjellë këtë ndeshje njësoj si sot shkuhet e komentohet për Kategorinë Superiore. Ledio Pano, pa thënë MBRETI Panajot Pano i bëjnë nder Partizanit në çdo kohë, sado që si në rastin më të fundit, MOSMIRËNJOHJA për kontributet e Ledios “fshihet” nga kujtesa me një të rënë të lapsit”.
