Ditë vendimtare për Milan Skriniar. Qendërmbrojtësi i Interit do të takohet sot me drejtuesit për kontratën e tij e cila përfundon në vitin 2024. Siç raporton “La Gazzetta dello Sport”, në klubin zikaltër janë të sigurtë në arritjen e një marrëveshje. Drejtori sportiv Beppe Marotta do të takohet me agjentin e shtatlartit të prapavijës.
Pritet të ofrohet një pagë e majme prej 6.5 milionë eurosh në sezon, duke e përafruar me atë Lautaro Martinez. Skriniar shihet si pjesë e rëndësishme e projektit zikaltër dhe në këtë mënyrë do të bëhet gjithçka që ai të mbetet pjesë e Interit.
Megjithatë te nënkampionët e Italisë po i paraprijnë dhe një përgjigje negative të sllovakut. Opsion për ta zëvendësuar është Diakhaby i Valencias të cilit i përfundon kontrata. Ndërsa në Itali, Rodrygo Becao është ai që ka ngjallur interes te Interi. Qendërmbrojtësit i mbaron marrëveshja me Udinesen në vitin 2024 dhe kësisoj zikaltërit mund të nxitojnë për shërbimet e tij. Megjithatë gjithçka do të varet nga takimi mes Skriniar dhe drejtorit Beppe Marotta.