
Armando Duka ka folur pas fitores së Tiranës 3-2 në finalen e Superkupës së Shqipërisë kundër Vllaznisë. Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit shkurtimisht analizoi sfidën si dhe arsyen se pse është zhvendosur në dhjetor. Për mikrofonin e Oversport, Duka tha:
"Jam i kënaqur që sot u rikthyem në futbollin vendas, gjithë këtë muaj kemi jetuar me Botërorin e Katarit. Ambient i mrekullueshëm, dy skuadra dinjitoze, me një lloj urie, për të vijuar pjesën tjetër të kampionatit.
Ndeshja në përgjithësi ishte shumë e bukur, pamë 5 gola, nuk është kollaj t’i shikojmë në kampionatin shqiptar. Futbollistët kanë jetuar gjithmonë, kanë bërë stërvitje, Botërori i ka motivuar akoma më shumë.
Superkupa në dhjetor? Më mirë Superkupa në këtë sezon sepse ka më shumë vëmendje. Në dhjetor, skuadrat arrijnë një nivel të mirë. Ky është fillimi i një tradite ndryshe për ta komercializuar më shumë në të ardhmen", tha ai.