
Egnatia do të presë Laçin në sfidën e javës së 30-të të Abissnet Superiore, sfidë që do të luhet ditën e shtunë duke nisur që nga ora 15:00. Stadiumi ku do të zhvillohet ky takim akoma nuk është vendosur, pasi siç dihet tashmë rrogozhinasit janë të dënuar nga Disiplina për të luajtur ndeshjet në fushë asnjanëse.
Kjo përballë me kurbiansit konsiderohet direkt për Europën, pasi diferenca mes Egnatais të vendit të tretë dhe Laçit të vendit të 5-të është vetëm 3 pikë. Për këtë sfidë edlir Tetova do të ketë një mungesë dhe një rikthim mjaft të rëndësishëm.
Donald Mëllugja do të mungojë ndaj kurbinasve për shkak se ka plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë. Një mungesë e rëndësishme për trajnerin e rrogozhinasve, duke pasur parasysh se mesfushori ka luajtur titullar në 23 sfida nga 29 në total të zhvilluara deri tani.
Lajm pozitiv padiskutim ëhstë rikthimi i Agbekpornu, i cili ka hedhur prapa krahëve dëmtimin që mori në sfidën me Partizanin dhe do të zëvendësojë “kokë më kokë” Mëllugjën.