
Turneu i Euroleague-s në basketboll për meshkuj vijon sot me 5 ndeshje vendimtare për hyrjen në Play-Off. Milan luan kundër Olimpiakos një ndeshje vendimtare, pasi kuqezinjtë gjenden në vendin e 7-të, ndërsa ekipi grek në të 8-in. Të dy skuadrat do të tentojnë që të fitojnë. Izraelitët e Macabit do të presin në shtëpi turqit e Anatolu Efes. Skuadra nga Izraeli ndodhet në vendin e 9-të dhe shpreson në një fitore për të arritur vendin e 8-të.
Por, që të ndodhë kjo, duhet edhe humbja e Olimpiakos. Anatolu nga ana tjetër do fitoren për të siguruar vendin e 4-të dhe për t'u larguar nga Barcelona që është në vendin e 5-të. Real Madrid luan në Rusi ndaj Khimki një ndeshje që ka interes vetëm për madrilenët që ndjekin vendin e 2-të, ndërsa Zalgiris e Bayern do të përpiqen që të fitojnë për t'iu afruar vendit të tetë. Nata e sfidave do të mbyllet me takimin e spanjollëve të Gran Canaria kundër turqve të Darusafakës.