
Çiklizmi sa vjen e zhvillohet në Shqipëri, teksa shumë të rinj janë të apasionuar pas këtij sporti. Megjithatë, ka edhe nga ata që nuk e shohin si profesion, por si “hobi”. Një “hobi” të cilin e kanë kthyer në “jetike”, për përditshmërinë e tyre. Një nga historitë frymëzuese është e Besmir Xhepexhiut.
Besmiri punon si shofer, por pasioni për çiklizmin nuk e lë atë “vendnumëro” as në ditë pushimi. Në një intervistë të dhënë për “Newsport.al”, Besmiri tregon dashurinë e tij për biçikletën, por edhe udhëtimet e tij të shumta nëpër Shqipëri. Madje, çiklisti ka një mesazh mjaft të bukur edhe për të rinjtë që janë të “afeksionuar” pas rrjeteve sociale dhe jo aktiviteteve sportive.
Si lindi pasioni për çiklizmin , çfarë të lidh më shumë me këtë sport?
Pasioni për çiklizmin më lindi që në fëmijëri, por u rizbulua vitet e fundit, kur përditë përshkoja rreth 20 km për të shkuar nga shtëpia në punë dhe anasjelltas. Ajo që më lidh më shumë është eksplorimi i natyrës dhe monumenteve historike. Kam filluar nga Tirana me vende si Liqeni i Bovillës, Shpella e Pëllumbasit dhe Ujëvara e Shëngjergjit, dhe më pas kam udhëtuar edhe jashtë saj në Gramsh, Berat, Pogradec, Shkodër, Lezhë, Krujë e shumë të tjera duke përjetuar nga afër bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore të vendit.
Cilat janë disa nga aventurat më të paharruara që ke përjetuar në udhëtimet me biçikletë dhe cilë dhe cilët mund të veçosh prej tyre?
Çdo udhëtim ka veçantinë e vet. Një nga më të paharrueshmit ishte ai nga Pogradeci drejt Prrenjasit, Urës së Golikut dhe Varreve Ilire, përmes rrugës së re Qafë Plloçë–Gështenjas. Ishte një udhëtim spontan, i bukur dhe sfidues, pa shumë plane, vetëm me ndihmën e hartës. Ndër sfidat përfshiheshin rrugë të papërfunduara, defekte në biçikletë dhe përballje me një qen pa çoban, por gjithçka u përballua me qetësi. Ndonëse me ankth, arrita në Gështenjas ku pata edhe një ndalesë të këndshme për bisedë me banorët. Një tjetër përvojë interesante ishte një udhëtim në shi në itinerarin Kavajë–Golem–Durrës–Shijak–Tiranë — i thjeshtë, por i veçantë për mua. Po ashtu, udhëtimi me histori drejt Kalasë së Prezës, Kalasë së Ishmit dhe më pas Kepit të Rodonit, ku takova dy çiklistë të tjerë dhe ndamë çaste të këndshme, mbetet ndër kujtimet më të bukura. Pas vizitës te Kalaja, përfundova në Gjirin e Lalzit dhe u ktheva në Kamëz.

A ndikon puna dhe profesioni juaj si shofer , për të limituar disi kohën në udhëtimet të tua?
Ndoshta dikujt mund t’i duket çudi, por prej tre vitesh punoj në një kompani distribucioni për zonën e Tiranës. Kjo punë kërkon shumë pasion, sepse përndryshe mund të jetë stresuese. Për mua nuk është problem, pasi e balancoj me udhëtime që i planifikoj fundjavave ose pasditeve. Zakonisht i organizoj disa ditë më parë, studioj zonën përmes rrjeteve sociale dhe burimeve të tjera, dhe nisem me disa gjëra bazë për të eksploruar.
Keni ndonjë synim në të ardhmen , një udhëtim që keni si objektiv për ta kryer?
Kur udhëtoj ose marr pushime, zgjedh vende që kanë histori dhe monumente natyrore. Objektivi im i radhës është Shkodra, me Velipojën, Ura e Mesit, Syri i Sheganit dhe kalanë e mrekullueshme të qytetit. Nga ana personale, muajin korrik do ta quaja “Muaji i Ujërave të Rrëpirë”, pasi planifikoj të vizitoj disa ujëvara të bukura si: Ujëvara e Sotirës në Gramsh, Ujëvara e Bogovës në Berat, Ujëvara e Shëngjergjit në Tiranë dhe Ujëvara e Kakunjës në Baldushk.

Një mesazh për të gjithë ata të rinj që nuk merren shumë me sporte , duke marrë parasysh që janë të varur nga teknologjia?
Unë fillova rastësisht, pa shumë kosto apo përgatitje, por biçikleta më njohu me vende të reja dhe miq të rinj. Çdo fundjavë kam një destinacion të ri, plot adrenalinë, qetësi, ajër të pastër, burime ujore dhe monumente të mrekullueshme, si natyrore ashtu edhe të ndërtuara. Lëvizni për shëndetin tuaj dhe ruani natyrën! Shqipëria ka mijëra shtigje ku mund të gjeni vetveten. Lërini për një moment teknologjinë dhe rrjetet sociale, dhe shijoni momentin. /Newsport.al/