Paraqitjet e Distria Krasniqit ia vlejnë për t'u duartrokitur, pasi xhudistja nga Kosova ka fituar për herë të katërt radhazi titullin si "Kampione e Europës".
Krasniqi ia doli të mposhtë çdo kundërshtar që i doli përballë, duke marrë kështu medaljen e artë në Kampionatin Europian të xhudos që po mbahet në Gjeorgji, më konkretisht në Tbilisi, aty ku së bashku me të, garojnë plot 400 xhudistë të tjerë që përfaqësojnë rreth 46 vende.
Fillimisht, në çerekfinale, xhudistja kaloi me sukses Aleksandra Kaletën nga Polonia, përpara se të "gjunjëzonte" në gjysmëfinale Odette Giuffridën nga Italia.
Hapin final, Kransiqi e kurorëzoi me sukses ndaj kundërshtares nga Franca, Amandine Buchard, prej ku fitoi dhe medaljen e artë, duke përfaqësuar denjësisht Kosovën në arenën ndërkombëtare.
