
Federico Dimarco është futbollisti i Interit i cili kurdoherë jep gjithçka nga vetja e tij, qoftë nga stoli, po ashtu edhe si titullar. Anësori i majtë italian është produkt i akademisë zikaltër dhe në 2017 u shit për 3.9 milionë euro në Zvicër te Sion por Interi e kuptoi shpejt gabimin dhe e ribleu vitin tjetër për 5 milionë euro.
Dy huazime në Parma dhe Hellas Verona, rritën shumë cilësitë e Dimarcos dhe në sezonin e shkuar ai u bë pjesë e ekipit zikaltër. Këtë sezon ka kyçur pozitën e majtë edhe pse në ekip është një si Gosens. Dimarco ka luajtur të gjitha sfidat në Serie A duke shënuar edhe 3 gola ndërsa në Champions ka luajtur 4 duke dhuruar 2 asiste. I intervistuar nga Gazzetta Dello Sport, Dimarco shpreh hapur dashurinë e tij për ngjyrat zikaltër.
“Fakti që futem në fushë me emblemën e Interit në zemër është thjeshtë gjëja më e bukur në botë. Dashuria ime për Interin vjen që nga familja. I gjithë fisi Dimarco është zikaltër, jemi të çmendur. As nuk e mbaj mend herën time të parë në San Siro. Interi më është bërë si drogë. Dua që të arrij finalen e Champions League me këtë fanellë.”- u shpreh Dimarco.