
Tashmë s’është më vetëm aludim, por Gianluigi Donnarumma mund të largohet në fund të këtij sezoni nga Milani. Portieri i kombëtares italiane nuk ka rinovuar ende dhe një gjë e tillë me gjasë s’do të ndodhë. Kësisoj drejtuesit e Milanit po mendojnë për zëvendësuesin e tij. Siç bën me dije Calciomercato, po shqyrtohet mundësia për të rikthyer Reinën në “San Siro” i cili ndodhet i huazuar te Aston Villa.
Megjithatë siç shkruan “La Gazzetta dello Sport”, dëshira e drejtuesve kuqezi është Meret i Napolit i cili më së shumti ka qenë në hije që në emërimin e Gatussos në krye të napolitanëve. Për të siguruar shërbimet e tij, Milani duhet të paguajë plot 30 milionë euro. Pritet të shihet se çdo të ndodhë në merkaton e verës, teksa tani për tani të gjithë janë të fokusuar për të kaluar situatën e krijuar nga virusi vdekjeprurës “Covid 19”.