
Pasi firmosën me Baton Zabërgjan, Dinamo është pranë një goditje tjetër nga kampionati i Kosovës. Veton Tusha mësohet të jetë afrimi më i fundit i bluve, sipas ‘Futbolli në Shqipëri’. 20-vjeçari luan në pozicionin e sulmuesit dhe vjen nga skuadra kampione e Ballkanit.
Tusha do të jetë afrimi i 12-të i dinamovitëve dhe i 4-ti nga kampionati dardan pas Rustem Hoxhës, Blend Krasniqit dhe Baton Zabërgjas. Veton Tusha ka lindur në Kaçanik por si futbollist ka dalë nga akademia e Vardarit në Maqedoninë e Veriut për të vazhduar më pas me Denizlispor në Turqi dhe Nieciecza në Poloni.
Drejtuesit kanë arritur parimisht marrëveshjen me lojtarin dhe pritet vetëm zyrtarizimi nga klubi. Tusha do të provojë shanset e tij në ekipin e Di Biagios teksa shokë reparti do të ketë lojtarë si Luis Kaçorri, Lorenco Vila apo Denisson.