
Liridon Latifi është një nga të tre të përzgjedhurit e trajnerit Gianni De Biasi nga Kategoria Superiore për dy ndeshjet e radhës për eliminatoret e Kupës së Botës. Latifi në ndeshjen kundër Vllaznisë ishte lojtari më i mirë në fushë, pasi u bë iniciatori i dy golave të parë të takimit, ku dha asist për Salihin, po ashtu krosoi mjaft mirë në golin e shënuar nga Xhejms.
"Jemi mësuar me Osmanin që të bëjmë shumë batuta. Osmani është lojtar shumë i mirë. Mendoj që dhe skuadra ishte shumë mirë që unë isha në momentet e duhura aty ku duhet", shprehet fillimisht mesfushori i krahut të majtë të kuqezinjve.
"Mendoj që jam i ri edhe duhet të rritem ditë pas ditë dhe do ta kaloj momentin tim më të keq" tregon djaloshi i ardhur nga Kosova në radhët e kampionëve në fuqi të Shqipërisë. "Skënderbeu ka rival vetëm veten. Ne mund të shpallemi kampionë shumë herët, sepse e kemi nisur shumë mirë", përfundoi deklaratën e tij Liridon Latifi.