Emiliano Çela ka folur pas barazimit 0-0 kundër Teutës. Trajneri i Kastriotit deklaroi për mikrofonin e Oversport:
“Ne nuk zhbëjmë dot atë që është bërë. Na duhen disa stacione për t’u futur në lojë. Pastaj të shpresojmë për mbijetesën. Çdo ndeshje është finale. Kishte doza të forta emocionale. Luajtëm kundër ekipit më të fortë të momentit. Tentuam të shtonim superioritetin në linja. Në një farë mënyre u realizua, por pati edhe pasiguri. Lojtarët e ndjejnë shumë presionin. Pas kartonit të kuq nuk ka më se çfarë analize të bëjmë. Të gjithë dhamë maksimumin. U munduam të shfrytëzonim shanset tona. Penalltia ishte e pastër. Arbitri ashtu e mendoi dhe nuk e dha. Nuk është lajm se Kastrioti po bie nga Kategoria. Por të kenë më shumë respekt për djersën e çunave. Shpresoj që të bëjmë maksimumin. Për çunat është fitore. Ne do të provojmë shanset tona.
Nëse e keni vë re, ne patëm problemet tona në zonën e ndërtimit. Ne si trajnerë mundohemi ta shkarikojmë ekipin. Ne luajmë gjithmonë kundër. Kur janë të karikuar i këshillojmë të ruajnë qetësinë. Lojtarët janë shumë afër opinionit, fryhen nga gjitha anët. Prapë mendoj se bëmë një ndeshje përfekte. Jam i qetë, pavarësisht se jam impulsiv me mënyrën se si drejtoj ekipin. Edhe ju në studio besoj se jeni dakord se bëmë maksimumin e mundshëm.
Zogaj dhe Rexhinaldo? Kur them unë probleme, përfshihen të gjitha. Grupi është i cunguar. Ka disa muaj që e trumboj, çfarë është bërë, është bërë. Për ne trajnerët është e vështirë të fusim lojtarë jashtë pozicioneve. Kështu do të shkojë kjo punë”, tha ai.