
Lajmi më i keq i mundshëm për Domenico Berardin. Sulmuesi i Sassuolos u rikthye në fushë pas një muaji e gjysëm nga një dëmtim dhe u detyrua të dilte menjëherë nga fusha mes lotëve teksa pësoi një tjetër dëmtim që dukej shumë i rëndë në pamje të parë.
Ekzaminimet e para mjekësore japin lajmin e keq teksa italiani ka këputur tendinën e akilit, një nga dëmtimet më të rënda në futboll. Sipas përllogaritjeve të para, një dëmtim i tillë kërkon rreth 7 muaj kohë për rikuperim të plotë.
Në këtë mënyrë, Domenico Berardi do të humbasë jo vetëm fundin e këtij sezoni, por edhe kampionatin Euro 2024 me Italinë, si dhe fillimin e sezonit tjetër. Italia merr një goditje të madhe teksa një prej lojtarëve më të mirë do të mungojë në Gjermani.
Në apsektin sportiv, një shqetësim më pak për Sylvinhon që do ta kishte një rrezik konstant në përballjen Itali – Shqipëri, më 15 qershor në ndeshjen e parë të grupeve në Euro 2024.