
Fitorja e djeshme ndaj Seattle Sounders me rezultatin 2-0, e kualifikoi PSG-në në 1/8-at e Botërorit të Klubeve. Pas përfundimit të këtij takimi, tekniku i parisienëve, Luis Enrique nuk u shfaq aspak i lumtur për mediat.
Ai deklaroi se ishte i pakënaqur me fushat në SHBA. “Topi kërcente si lepur. Më parë ishte bar sintetik, tani është bar natyral, por duhet ta ujitin. E bënë në pushimin e ndeshjes, por dhjetë minuta më vonë fusha ishte përsëri e thatë.
Është një problem për lojën tonë. Nuk është justifikim, e them këtë pas një fitoreje, por është ende një shqetësim i vërtetë. Nuk po luajmë në nivelin që duam.
Mendoj se FIFA duhet ta marrë vërtet parasysh këtë. Nuk ka të bëjë vetëm me fushat e lojës, por edhe me fushat e stërvitjes, nëse duam që kjo të jetë gara më prestigjioze në botë”, u shpreh Enrique.