Finalja e Kupës së Botës nuk sjell vetëm emocione të forta për tifozët, por mund të paraqesë edhe rrezik për shëndetin. Kardiologët paralajmërojnë se stresi i lartë gjatë ndeshjeve vendimtare mund të rrisë mundësinë e infarktit, aritmive dhe problemeve të tjera kardiovaskulare, veçanërisht te personat me sëmundje të zemrës ose faktorë të tjerë rreziku.
Sipas studimeve shkencore, rastet e urgjencave kardiovaskulare shtohen ndjeshëm gjatë ndeshjeve me ngarkesë të lartë emocionale. Një studim pas Botërorit 2006 në Gjermani tregoi se incidentet kardiovaskulare u rritën 2.7 herë gjatë ndeshjeve të kombëtares gjermane. Mjekët shpjegojnë se hormonet e stresit rrisin tensionin, përshpejtojnë rrahjet e zemrës dhe mund të favorizojnë formimin e mpiksjeve të gjakut.
Ekspertët këshillojnë që tifozët të shmangin alkoolin e tepërt, duhanin, ushqimet e rënda dhe mungesën e gjumit gjatë finales. Ata rekomandojnë gjithashtu të mos neglizhohen shenjat si dhimbja e fortë në gjoks, gulçimi i papritur ose rrahjet e çrregullta të zemrës, pasi mund të kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
