Luciano Moggi ka lëshuar akuza të forta ndaj sistemit të futbollit italian, duke theksuar se skandali i Calciopoli i dha fund një epoke të artë. Në një intervistë për “Radio Tutto Napoli”, ai deklaroi se pas vitit 2006, futbolli italian ka hyrë në rënie të vazhdueshme.
“Që nga Kupa e Botës 2006, me pasojat e Calciopoli, futbolli italian ka mbaruar”, u shpreh Moggi. Ai shtoi se rezultatet e dobëta të kombëtares së Italisë janë pasqyrë e një sistemi që nuk funksionon si duhet.
Ish-drejtuesi kritikoi edhe drejtuesit aktualë, duke kërkuar ndryshime të menjëhershme. “Na duhet një revolucion i vërtetë dhe një rifillim nga zero”, theksoi ai, duke përmendur edhe emra si Gabriele Gravina dhe Andrea Abodi si përgjegjës për situatën aktuale.
