Përmes një njoftimi zyrtar në faqen zyrtare, klubi anglez i Fulham njoftoi largimin e disa lojtarëve, pas skadimit të kontratave të tyre. Mes të larguarve është edhe Fode Ballo-Toure, i cili do të rikthehet te Milani.
Mbrojtësi i majt u dërgua në huazim në verën e shkuar nga Milani te Fulham. Huazimi i Ballo-Toure ka përfunduar, dhe Fulham nuk dëshiron që të vazhdojë bashkëpunimin me të, duke e rikthyer 27-vjeçarin në “San Siro”.
Anësori me origjinë nga Senegali luajti vetëm 8 ndeshje në këtë sezon me klubin anglez, duke mos arritur që të lërë shenjë.
Fulham ka vendosur ta rikthejë te Milani, por me shumë mundësi as këta të fundit nuk pritet ta mbajnë në ekip. Me t’u rikthyer në Itali, Ballo-Toure dhe agjenti i tij duhet të fillojnë punën për të gjetur një ekip të ri, pasi “Djalli” nuk e ka në planet e sezonit të ardhshëm.
Kujtojmë që me Milanin, Fode Ballo-Toure është shpallur kampion. Senegalezi fitoi Scudetton me “Djallin” në vitin 2022, duke i shtuar koleksionit të tij trofeun e dytë, pasi po në të njëjtin vit kishte fituar edhe Kupën e Afrikës me kombëtaren e tij.