
Napoli nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me Interin në kampionat. Pas këtij barazimi mjaft i zhgënjyer është Antonio Conte. Timonieri i napolitanëve theksoi se ishte një duel shumë i vështirë, por Napoli bëri më shumë për fitoren dhe e meritonte të siguronte 3 pikët.
“Ka njëfarë zhgënjimi, sepse bëmë një paraqitje shumë të mirë kundër një kundërshtari vërtet të fortë. Interi është një makineri e ndërtuar ndër vite për të luftuar për Scudetton dhe tani është skuadra që duhet mundur.
Të luajmë kaq mirë kundër tyre dhe kundër Juventusit duhet të na tregojë se, edhe mes vështirësive dhe mungesës së lojtarëve të rëndësishëm, mund të themi fjalën tonë me organizim, fokus dhe inteligjencë. Kjo vetëm sa na shton keqardhjen për pjesën e dytë kundër Comos, ku na mungoi vendosmëria dhe uria.
Nëse tregojmë gjithmonë këtë vendosmëri, atëherë do të jemi aty deri në fund të sezonit. Do të jemi si macet, duke u kapur me kthetra”, ka theksuar italiani.