
Dukej e pamundur që Zlatan Ibrahimovic të binte pre e kritikave të publikut, veçanërisht nga fansat që gjithmonë e kanë dashur atë. Megjithatë, në klimën aktuale të pakënaqësive rreth Milanit, edhe ai nuk është kursyer.
Rezultatet negative në startin e kampionatit kanë shtangur ambientin kuqezi. Barazimi në ndeshjen e parë ndaj Torinos u kalua si një ‘ngërç’ i zakonshëm i herëve të para, por humbja me Parmën në javën e dytë nuk pati më justifikime.
Loja e dobët e skuadrës ka sjellë akuza kundrejt trajnerit Fonseca, ndërsa Ibrahimovic po kritikohet për merkaton e dobët duke mos sjellë emra që bindin apo rrisin nivelin e ekipit. Milani i këtyre 2 javëve të para është një skuadër totalisht tjetër nga ajo që pamë në turneun miqësor që mposhti Manchester City, Real Madrid e Barcelonën.
Sfida e rradhës për kuqezinjtë është transferta e vështirë ndaj Lazios, të shtunën në orën 20:45 dhe tifozët presin reagimin e skuadrës.