
Milani ka fituar në shtëpi përballë Cagliarit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 36-të të Serie A. Sfida e zhvilluar në “San Siro”, përfundoi me rezultatin 5-1 të vendasve. Pas kësaj sfide ka folur edhe trajneri, Stefano Pioli. Tekniku italian shprehet i lumtur për këtë fitore, teksa i bën një analizë të shkurtër sezonit. Pioli thotë se nuk ishin të zotët për të konkurruar me Interin, por thekson se janë një skuadër e fortë. Ndër të tjera, Pioli flet edhe për të ardhmen e tij në pankinën e Milanit.
“Për fat të keq nuk ishim të zotët të kishim një vazhdimësi në rezultate që të konkuronim Interin, por ju garantoj se kjo skuadër është e fortë. Për ne ishte shumë e rëndësishme që të ktheheshim te fitorja, e vuajtëm shumë eliminimin nga Europa League, por edhe humbjen në derbi. I falenderoj djemtë sepse zhvilluan një ndeshje me shumë vendosmëri dhe sakrificë.
E ardhmja? Kam një marrëdhënie shumë të mirë me drejtuesit. S’kam folur ende me ta sa i takon të ardhmes, mendoj se do të ulemi të bisedojmë para se të përfundojë kampionati apo në momentin e parë pasi të mbarojnë ndeshjet. Shpresoj që ambientit milanist t’i rikthehet sërish entuziazmi i duhur për të kaluar momentet e vështira dhe për të shkuar drejt objektivave të rinj”, është shprehur Stefano Pioli.