
Igli Tare ka folur së fundmi për kampionatin italian të futbollit. Ish-drejtori sportiv i Lazios analizon Serie A, duke u ndalur më hollësishte te Juventusi. Tare thotë se i pëlqen mënyra se si punon Thiago Motta, teksa flet dhe për gjendjen ekonomike të “Zonjës së Vjetër”.
Çfarë mendoni për kampionatin?
Kampionati po respekton parashikimin fillestar, ku Interi është skuadra më e kompletuar dhe ajo për t’u mposhtur. Edhe Napoli i Kontes po shkon shumë mirë. Lazio po bën një sezon të mrekullueshëm dhe bashkë me Fiorentinën është një nga surprizat më të bukura. Më pas këtë fundjavë është Milan-Juventus, një ndeshje shumë e hapur dhe spektakolare. Të dyja skuadrat mund të japin diçka më shumë, por projektet e reja kërkojnë kohë.
Juvja është e gjashta në renditje. E prisnit?
Më pëlqen shumë se si po punon Motta, i cili ndihmohet nga një drejtor me shumë përvojë si Giuntoli dhe së bashku formojnë një ekip të mirë. Juventusi, siç e thosha, është në fillimet e një rruge të re, por në të ardhmen do të jetë vendimtare jo vetëm për futbollin italian, por edhe për Europën.
Për sa vite do të jetë Juvja në gjendje të fitojë titullin?
Nuk është çështje kohe dhe vitesh, por sa shpejt do të jetë realizimi i këtij projekti. Ata janë të vetëdijshëm se ka ende shumë punë për të bërë, sigurisht që ajo është një nga kandidatet këtë sezon për të fituar skudeton.
A ka ndonjë lojtar që ju pëlqen më shumë se kushdo te bardhezinjtë?
Jam një tifoz i Turamit, për mua ai mund të bëhet një lojtar shumë i rëndësishëm. Po i vlerësoj shumë cilësitë e Konseisaos, i cili është vendimtar dhe gjithmonë arrin të tregojë veten. Një tjetër surprizë e mrekullueshme është padyshim Savona, pasi ka hapësirë për rritje.
Nuk përmendët Yildiz?
Ai është me të vërtetë shumë i fortë, është një nga ata lojtarë që sapo përmendëm. Juve ka një sulm shumë të ri, lojtarët e saj duke përfshirë Vlahoviçin mund të rriten ende shumë.
A duhet të blejë Juventus dikë për të zëvendësuar Bremer dhe Cabal?
Nuk e di dinamikën në nivel ekonomik, por besoj se klubi do të përpiqet të kapë çdo mundësi. Në tregun e janarit është e vështirë të gjesh një zëvendësues të denjë. Por Juventusi është i aftë në këto situata, ndoshta mund të gjejë edhe huazimin e një lojtari që nuk ka pasur shumë mundësi në një klub të rëndësishëm.